Kuvendi në seancë plenare, betohen deputetë të opozitës

TIRANË, 28 mars /ATSH – I. Vata/ – Kuvendi nis sot në orë 10:00 seancë plenare ku do të betohen tre deputetë të rinj të parlamentit, nga PD, Qarku Elbasan, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi, Qarku Vlorë, si dhe Amra Barova nga LSI, Qarku Shkodër.

Pas betimit të tre deputetëve të opozitës, seanca plenare do të nisë me diskutimet për raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2018.

Po ashtu në rendin e ditës është dhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””.

Një tjetër pikë e rendit të ditës në seancën e sotme në Kuvend është dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi” si dhe projektrezolutën “Për vlerësimin e punës së grupit të deputetëve “Miqtë e fëmijëve” për vitin 2018 dhe për Planin e Veprimit për 2019. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.