Grapperhaus: E gabuar djegia e mandateve, protestat të jenë paqësore

TIRANË, 28 mars/ATSH/ – Ministri i Drejtësisë dhe Sigurisë së Mbretërisë së Holandës, Ferdinand Grapperhaus deklaroi sot se protestat janë një e drejtë kushtetuese, por dhuna në protestë është e papranueshme në demokraci.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Grapperhaus iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me lënien e mandateve dhe protestat e opozitës.

Ai deklaroi se dalja e opozitës nga Kuvendi është një veprim i gabuar.

“Së pari, protestat janë një element shumë i rëndësishëm në demokraci dhe kjo ndodh në të gjithë botën. Qytetarët dalin në rrugë për të protestuar. Javën e shkuar kemi pasur një protestë të madhe në Holandë kundër racizmit. Pra protesta është diçka normale, por më vjen keq shoh që kemi pasur raste dhune në disa protesta dhe unë i bëjë thirrje të gjithëve që të bëjnë protesta të paqme. Protesta duhet të qëndrojë brenda shtetit të së drejtës”, tha Grapperhaus.

“Më lejoni t’ju them se nuk më duket se është problem që kur hyra në godinën e Ministrisë së Brendshme vura re njerëz që bërtisnin në sheshin përreth, edhe pse ministri më garantoi se s’kishte të bënte me mua e bërtitura e protestuesve. Por, kjo është demokracia në fund të ditës dhe në fund të fundit të gjithë duhet të kenë të drejtën që në mënyrë dinjitoze të shprehin mendimin e tyre në shoqëri”, tha Grapperhaus.

Ai e cilësoi si të gabuar dhe daljen nga Kuvendi të opozitës. “Më vjen keq që opozita ka marrë vendimin për t’i djegur mandatet, kjo nuk është mënyra për ti zgjidhur problemet. Partia ime ka qenë pesë vite jashtë qeverisë dhe ne kemi qenë kritik, të ashpër, por s’kemi ikur nga Kuvendi. Kuvendi është themeli i çdo demokracie”, tha Grapperhaus. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.