Braçe-Bashës: Pushtetin doni, por ekonominë po shkatërroni

TIRANË, 28 mars /ATSH – I. Vata/ – Zv.kryeministri Erjon Braçe ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e Partisë Demokratike për ushtrim dhune në protestën e sotme në Tiranë.
“Përse shkon te dhuna; ç’e gjeti godinën se e njollose me të zezën e partisë? Jemi në shekull tjetër, në atë të të menduarit, arsyes, debatit, bindjes! Me dhunë nuk arrin asgjë! Me dhunë kundër pronës publike, të përbashkëtës, thjesht paguan ti nga tatimet e taksat, por edhe të tjerë që nuk të kanë asnjë borxh ty, fare!”, tha Braçe.
Po ashtu, Braçe sjell në vëmendje vrasjen e katër demonstruesve në bulevard.
“Lulzim Basha, katër shqiptarë që nuk bënë kurrë atë që ti bëre sot, i vrau, po, po, i pushkatoi dhe ishte Ministër i Brendshëm”, shprehet ai.
Më tej, Braçe shtoi: “Po si ka mundësi që nuk e kuptoni se e gjitha-flaka e tymi, nuk është “pro” jush por “kundër” jush; Nga i pari, tek i fundit! Pushtetin doni, por ekonominë tuaj po shkatërroni!”
“Flaka e tymi, nuk ju japin pushtet, e keni provuar, jeni bërë mbretër për ca orë e pastaj keqbërës në kafazet e gjykatave. Pas kësaj edhe 7 vite në opozitë! Kurrë në pushtet, ju jo e jo, por as edukuesit e zjarrit për ju!”, shtoi ai.
Gjithashtu, Braçe akuzoi PD-në se është financuar nga paratë ruse.
“Ekonominë tuaj po dëmtoni; tuajën, as fare të Sashës që paratë i vijnë nga simotrat ruse! Sasha e ka pasurinë e tij, po ju çfarë keni? Sasha e shton pasurinë e tij, po ju pse e pakësoni”, shprehet ai.
Në fund, Braçe shton se “Shihni sa pak jeni! Çfarë borxhi ju ka një Shqipëri e tërë që mezi pret ekonominë të konsolidohet e rritet, kthehet në të ardhura për familjet e saj?! Asgjë! Boll me Lulin! Ai i ka paratë e veta”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.