Abuzimet me pronat në bregdet, Nikolla vlerëson punën e policisë në Lezhë

TIRANË, 28 mars/ATSH-Maela Marini/ Deputetja e Partisë Socialiste, Lindita Nikolla u ndal sot te rezultatet e Policisë së Shtetit në qarkun e Lezhës, duke veçuar operacionet që janë ndërmarrë lidhur me përfshirjen e zyrtarëve dhe funksionarëve publik në falsifikimin e dokumenteve në vijën bregdetare të Lezhës e Kurbinit.

Duke marrë fjalën në Kuvend, Nikolla tha se “në këtë kuadër u goditën dy grupe të organizuara, u dha masa arrest me burg për 20 persona, arrest në shtëpi për 8 persona, 2 janë me detyrim paraqitje dhe 4 në kërkim”.

Ajo theksoi se “në 5 vite është bërë një reformë tërësore në strukturat policore për rritjen e forcës goditëse ndaj krimit”.

Sa i takon statistikave për qarkun e Lezhës, ajo veçoi punën parandaluese në drejtim të krimeve të rënda. Nikolla tha se në qarkun e Lezhës për vitin 2018 u evidentuan gjithsej 4 vrasje, ku 3 janë zbuluar dhe vetëm 1 vrasje nga pakujdesia nuk është zbuluar”.

Po ashtu, ajo veçoi faktin se në Mirditë dhe Lezhë nuk u regjistrua asnjë vrasje në 2018.

Nikolla tha se në këtë qark vihet re edhe një reduktim i krimeve kundër pronës, ku është ulur ndjeshëm numri i veprave penale.

Deputetja e PS-së në qarkun e Lezhës iu referua po ashtu edhe aksidenteve rrugore në autostradën e Milotit, ku theksoi se në vitin 2018 kemi tregues pozitivë me rënien e numrit të aksidenteve.

“Në 2018 kemi 67 aksidente më pak se sa në 2017”, tha ajo.

Po ashtu, Nikolla veçoi punën e madhe që është bërë në këtë qark në drejtim të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.