2 deputetë të rinj të opozitës betohen në Kuvend

TIRANË, 28 mars /ATSH/ – Dy deputetë të rinj të opozitës bënë sot betimin në Kuvend, pas marrjes së mandateve nga KQZ.

Seanca e sotme plenare nisi me raportin e përmbledhur për verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj dhe betimin e 2 deputetëve që vijnë nga lista shumemërore e PD-së.

Pas verifikimit të mandateve rezultoi se janë respektuar kërkesat e Kodit Zgjedhor. Në seancën e sotme u betuan deputeti i PD-së në Qarkun Elbasan, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi aleat i PD-së, njëkohësisht kryetari i Ballit Kombëtar, qarku Vlorë.

Ndërsa deputetja e LSI-së në qarkun Shkodër, Amra Barova nuk ishte e pranishme në seancë dhe do të betohet në seancën e ardhshme parlamentare.

Pas betimit të deputetëve të opozitës, seanca plenare nisi me diskutimet për raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2018. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.