Ndryshimet ligjore, rregullohet dhënia e lejeve të reja në akuakulturë

TIRANË, 27 mars /ATSH/- Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin shqyrtoi dhe miratoi sot projektligjin  “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akuakulturën””.

Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo, gjatë prezantimit të  projektligjit u  shpreh se, ndryshimet që janë reflektuar në këtë projektligj synojnë të zgjidhin ngërçin që ka dispozita bllokuese në ligj, në lidhje me dhënien e lejeve të reja për aktivitetin e akuakulturës.

“Pjesën e rregullores përkatëse të Bashkimit Europian që ka të bëjë më rregulloren e vitit 2013, ne e kemi transpozuar tek pjesa e ligjit për akuakulturën. Në këtë mënyre shoqatat qe ekzistojnë në Shqipëri në fushën e akuakulturës, ne t’i njohim si partnerë zyrtarë nga ana e ministrisë. Një tjetër ndërhyrje që ka të bëjë me ligjin është dhe përcaktimi i instalimeve në pronësi shtetërore”, – theksoi Kristo.

Pas prezantimit të projektligjit, komisioni vazhdoi me diskutime dhe sugjerime të ndryshme.

Mbledhja e komisionit vazhdoi me një seancë dëgjimore me grupet e interesit, ku të ftuar ishin Muharrem Jazaj kryetar i shoqatës së akuakulturës dhe Vasil Jovani, anëtar.

Në fjalën e  tij, Jazaj tha se, ky lloj biznesi, po rritet nga viti në vit, si edhe tregu i brendshëm po konsumon prodhimet e detit, duke u bërë kjo kulturë për qytetarët. Gjithashtu Jazaj tha se, pjesa e ngërçit në ligj ka sjellë kufizime në biznesin e këtij lloji dhe se duhet rregulluar sa më shpejt.

Në fund të seancës dëgjimore, grupet e interesit dhanë sugjerimet e tyre dhe komentet mbi projektligjin në fjalë.

Pas diskutimeve, pyetje-përgjigjeve, kryetari i komisionit Niko Peleshi e hodhi projektligjin në votim, i cili u miratua në parim nga anëtarët e komisionit. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.