Mbrojtësi i kombëtares, drejt rinovimit të kontratës me nënkampionët e Italisë

TIRANË, 27 mars/ATSH-A.Fortuzi/ – Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit, Elseid Hysaj pritet të rinovojë kontratën me skuadrën e “Napolit”.

Sipas medieve italiane, futbollisti i kombëtares kuqezi, që është i aftë të mbulojë të dyja anët e mbrojtjes pritet të zgjasë kontratën me nënkampionët e Italisë edhe për 2 sezone të tjera.

I mbërritur te “Napoli” në gusht të vitit 2015, pasi debutoi me “Empolin” në futbollin profesionist në Itali, Hysaj sezonin e shkuar ishte shumë pranë transferimit te “Cheslean” në Premier Ligë, ku do të bashkohej me trajnerin që e bëri të madh, Enrico Sarri-n. Por, nuk ndodhi kështu, trajneri aktual i Napolit, Carlo Ancelotti ka vendosur t’i japë besimin e tij shkodranit duke i kërkuar rinovimin e kontratës dhe duke i ofruar rritje të pagës.

Sa i takon pagës, Hysaj ka kërkuar një pagë afro 3 milionë euro në vit, teksa “Napoli” ka ofruar 2.5 milionë euro në vit, çka do të thotë, njoftojnë mediet italiane, se palët janë pranë një marrëveshje, që pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.

Hysaj u transferua te “Napoli” për 4.5 milionë euro, ndërsa vlera e tij në merkato momentalisht është 20-22 milionë euro. Këtë sezon Hysaj ka zhvilluar 22 ndeshje në kampionatin italianë të futbollit dhe ka shënuar dy gola. Po ashtu, Hysaj këtë sezon ka regjistruar tre prezenca në Ligën e Kampionëve dhe po aq në Europa Ligë. Me përfaqësuesen shqiptare, prej debutimit në shkurtin e vitit 2013, shkodrani Hysaj, ka grumbulluar 44 prezenca. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.