Kryemadhi: Protestat edhe për ekonominë, Kuvendi është ilegjitim

TIRANË, 27 mars/ATSH/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi pas përfundimit të mbledhjes me ish-deputetë të kësaj force politike, theksoi se protesta e opozitës nuk do të jetë vetëm politike, por edhe për ekonominë.

“Protesta e nesërme do të jetë një protestë madhështore, sepse çdo ditë e më shumë problematikat dhe problemet e përditshme të shqiptarëve shtohen. Duke filluar që nga mungesa e punës, duke vazhduar me çmimet e larta të energjisë elektrike, me çmimin e lartë të ujit të pijshëm, me mundësinë dhe mungesën e madhe të një kostoje jetese normale të cilën nuk e kanë më sot shqiptarët. E kanë një kosto jetese çdo ditë e më shumë që rritet. Kështu që protesta nuk ka të bëjë vetëm me protestën politike, por ka të bëjë edhe me protestën ekonomike”, theksoi Kryemadhi.

Kryemadhi tha gjithashtu se Parlamenti është ilegjitim.

“Ka ardhur koha që politikanët të japin llogari para popullit, që të kenë frikë popullin, jo populli të ketë frikë politikanët. Ilegjitimiteti i parlamentit është bërë normal. Nëse deputetët që hynë në parlament me subvencion nga PS duke eliminuar subvencionin për fermerët shqiptarë, Zoti e ruajtë Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën. Futja e këtyre deputetëve do të shtojë më shumë shqiptarët që duan të ikin”, theksoi kryetarja e LSI.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.