Kosova, përgatitje për regjistrimin e popullsisë në vitin 2021

PRISHTINË, 27 Mars /ATSH/- Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, priti sot drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor në EUROSTAT, Eduardo Barredo Capelot, me të cilin diskutoi lidhur me përgatitjet për regjistrimin e dytë të popullsisë në Kosovë, në vitin 2021.

Duke e falënderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin, Hoxhaj e njoftoi Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor, Capelot, në lidhje me punën që është bërë deri tani në funksion të përgatitjes sa më të mirë të procesit të regjistrimit të popullsisë, duke theksuar se miratimi i Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave, është në proces e sipër.

“Në takim me drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim dhe Koordinim Statistikor të EUROSTAT-it, Eduardo Barredo Capelot, kemi diskutuar në lidhje me përgatitjet për regjistrimin e dytë të popullsisë më 2021. E informova në lidhje me punën që kemi bërë deri më tash në drejtim të përgatitjes sa më të mirë të procesit, si dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin me Kosovën përmes Agjencisë së Statistikave”, tha zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Ai e informoi delegacionin nga EUROSTAT edhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Statistika Zyrtare të Republikës së Kosovës, në përputhshmëri me Rregulloren e Parlamentit Europian, Këshillit mbi Statistikat Europiane, si dhe me Kodin e Praktikës së Statistikave Europiane. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.