Guroret në malin e Krujës drejt mbylljes përfundimtare

TIRANË, 27 mars/ATSH-Maela Marini/ Këshilli i Ministrave diskutoi sot për shpalljen e paligjshmërisë së plotë të gjithë veprimtarisë së nxjerrjes së gurëve nga mali i Krujës.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama në takimin me koordinatorët e bashkëqeverisjes.

Rama tha se “tani jemi në fazën kur fillon ekzekutimi i mbylljes përfundimtare të një plage 30-vjeçare”.

“Pavarësisht se atë plagë e kam parë vetë shumë kohë më parë, pavarësisht se si kryeministër kam kërkuar në vijimësi për mbylljen e asaj plage, u deshën 5 vjet e gjysmë që kjo të ndodhte”, – tha Rama.

Kryeministri shprehu bindjen se “tani është fundi i vërtetë i asaj masakre”.

Ndërkohë ai nënvizoi se “shtysa finale për këtë ishte zëri i qytetarëve përmes platformës së bashkëqeverisjes”. “Është një presion që vjen dhe funksionon dhe na ndihmon të identifikojmë personat përgjegjës për mungesën e një reagimi më të shpejtë”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.