FOTO/ Shqipëria turistike promovohet në Ukrainë

TIRANË, 27 mars /ATSH/ – Promovimi i turizmit, të trashëgimisë dhe i vlerave kombëtare është zhvendosur në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit UITT Kiev, Ukrainë, i cili është panairi kryesor i turizmit në rajonin ku zhvillohet.

Në këtë panair marrin pjesë 366 kompani nga 24 vende të botës. Bregdeti ynë, Alpet, kultura dhe kulinaria, do të jenë të prekshme për vizitorët nga datat 27-29 mars 2019.

Agjencia Kombëtare e Turizmit së bashku me tre operatorë turistikë nga Shqipëria kanë parashikuar takime të shumta me partnerë dhe medie ndërkombëtare. I pranishëm në stendën e Shqipërisë ishte dhe sekretari i përgjithshëm Adrian Kamenica, i cili mori pjesë në ceremoninë e hapjes së panairit.

Kërkesa e turistëve ukrainas është në rritje të vazhdueshme, falë edhe politikës së heqjes së vizave me këtë vend. Gjatë vitit 2018 e vizituan vendin tonë më shumë se 25000 shtetas nga Ukraina.

Këtë vit parashikohet që turizmi ukrainas të ketë një fluks të shtuar fluturimesh me 6 çartera dhe rreth 1200 turistë në javë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.