Bumçi: Djegia e mandateve, shtegu i vetëm i mbetur për opozitën

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – “Djegia e mandateve ka qenë vendim ekstrem dhe i vetmi shteg që i kishte mbetur opozitës së bashkuar përballë një qeverie të kapur”, tha ish- deputeti i PD-së, Aldo Bumçi në një studio televizive, ndërsa theksoi se protestat nuk do të ndalojnë, por do të shtohen si në numër, ashtu edhe në emocione.

Më tej Bumçi shtoi se aksioni opozitar është tashmë i detyruar, pasi “dogjëm mandatet dhe dolëm në rrugë”.

“Vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, gjë që është e barabartë me një grusht shteti. Gjykata është garanti i fundit dhe përfundimtar. Kemi dy vite pa Gjykatë dhe kjo është e padëgjuar më parë. Rruga jonë do të jenë protesta dhe nuk do të mbarojë shpejt. Ne duhet të kemi durim. Qytetarët kanë një urrejtje ndaj Edi Ramës”, tha ai.

Në fund ai shtoi se protestat do të vijnë duke u rritur edhe në numra, por edhe në emocione.

“Ndryshe nga Parisi që u dogjën biznese e makina, këtu nuk është thyer asnjë xham, sepse opozita është e përgjegjshme”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.