Shalsi: Mazhoranca e ka detyrim të mendojë edhe për shqiptarët e braktisur nga opozita

TIRANË, 26 mars/ATSH/ – Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi gjatë një interviste televizive tha se Partia Socialiste dhe qeveria do të vijojë reformimin e vendit dhe do të mendojë edhe për shqiptarët e braktisur nga opozita.

Duke e cilësuar si një dezertim të fushëbetejës, djegien e mandateve, ministri Shalsi u shpreh se, mazhoranca ka për detyrë të vijojë reformimin e vendit, duke iu afruar gjithnjë e më shumë standardeve europiane dhe duke zbatuar dhe angazhimin përballë shqiptarëve.

“Në demokraci fushëbeteja është Kuvendi, ku përplasen palët me idetë e tyre për drejtimin e vendit apo çështje të veçanta, prandaj e kam konsideruar si të mirëfilltë dezertim të kësaj beteje, vendimin e opozitës për të djegur mandatet. Ky dezertim vjen jo rastësisht, por si pasojë e një sërë veprimesh, duke nisur nga paaftësia e opozitës për të menaxhuar një debat në Kuvend, duke mos krijuar një alternativë të shëndetshme dhe asnjëherë nuk respektoi normat qytetare në sallën e Kuvendit”, tha Shalsi.

“Çfarë të mirash ka pasur popullsia shqiptare nga sharjet dhe fjalët bajate që opozita bënte deri dje në Parlament. Vite më parë kam marrë një iniciativë që t’i kërkojë kryetarit që t’u ndërpriste fjalën deputetëve nëse nuk flet për ligjin dhe çështjen dhe rendin e ditës. Opozita ka dezertuar. Nuk është mirë që kanë dezertuar, sepse nuk është e shëndetshme për demokracinë. Ne  tashmë, duhet të mendojmë edhe  për atë popull që  ndodhet i tradhtuar nga opozitarët”, tha ai.

Sipas tij, largimi, dezertimi i dy partive opozitare nga Kuvendi është zgjedhje e tyre.

“Deputetët e rinj janë të zgjedhur prej tyre. Sali Berisha ka 30 vite që është në politikë dhe  shqiptarët e kanë provuar dy herë. Opozita është më e vetmuar se kurrë dhe tash po i kthehen edhe njerëzit kundër dhe ka hyrë në rrugë pa kthim. Sa herë ka qeverisë Partia Demokratike e ka lënë vendin buzë humnerës. Në PD ka në brendësi të saj një kryetar ‘defakto dhe dejure’”, shtoi ai.

Ministri Shalsi u shpreh se, “largimi opozitës s’na pengon për të vijuar reformat. Prandaj përgjegjësia jonë është të vijojmë ritmin e reformave për të krijuar një Shqipëri të begatë të siguritë siç ajo për të cilën jemi votuar.

“Ne duam të ndjekim reformat që na kanë sugjeruar dhe kërkuar partnerët tanë. Votimi emigrantëve, reforma zgjedhore dhe shumë të tjera janë në axhendë për tu diskutuar. Në 2017 populli foli qartë na dha një mandat të pastër, si asnjëherë tjetër. Në KQZ nuk pati asnjë kundërshti, u votua 7-0 dhe tashmë dy vite më pas u kujtuan se zgjedhjet nuk na paskan qenë të rregullta. Por e vërteta është se ato nuk fitojnë dot zgjedhjet, pasi e dinë shqiptarët se nuk kanë alternativë më të mirë se Partia Socialiste dhe sa i takon përgjimeve, për sa kohë po heton prokuroria, nuk mund të themi asgjë”, theksoi Shalsi.

“Opozita anatemon reformën në drejtësi, si të kapur. Por i dëgjoni partnerët tanë ndërkombëtarë se si e vlerësojnë këtë reformë. Opozita është kthyer kundër ndaj çdo partneri të huaj, që flet me gjuhën e të drejtës sipas proceseve demokratike perëndimore. Për reformën në drejtësi folën dhe përfaqësuesit e SHBA në vendin tonë dhe kjo tremb të gjithë ata që kanë bërë zullume në këtë vend”, shtoi Shalsi.

“Shqiptarët dinë mirë kujt ti besojnë. Tirana ka provuar 5 kryetarë bashkie, dy janë socialistë, Rama e Veliaj dhe e kanë parë se si ndryshon filozofia jonë nga filozofia e PD. Se si ka ndryshuar Tirana këto katër vitet e fundit dhe kur ishte ai që pretendon të bëhet kryeministër se si e la Tiranën. Ne jemi shumë të vendosur që mandatin e fortë që na kanë dhënë shqiptarët t’ja kthejmë, shpërblejmë me punë, rezultate”, tha Shalsi.

“Oferta është e qartë, nëse opozita futet në zgjedhje e merr një bashki më shumë, atëherë ne do pranonin zgjedhje të parakohshme. Nëse opozita mendon se ka popullin, hajde provoje, por opozita e ka të qartë se populli di të zgjedhë alternativën që bën ndryshimin”, përfundoi Shalsi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.