Universitetet, mundësi për të ardhura dytësore

TIRANË, 25 mars/ATSH-Maela Marini/ Futja e universiteteve në treg është një ndër ambiciet e Paktit për Universitetin.

Gjatë prezantimit të Portalit të Transparencës Universitare, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “ne do t’i krijojmë hapësirë universiteteve për të ardhura dytësore duke shfrytëzuar nga nevojat e qeverisë dhe ministrive për konsulenca, studime apo projekte”.

“Ne e kemi nisur këtë madje kemi shkuar edhe më larg duke krijuar kushtet që universitetet të krijojnë subjektet e tyre fitimprurëse”, – tha Rama.

Kryeministri solli si shembull Universitetin Bujqësor të Tiranës. “Ne kemi diskutuar për mundësinë e ndërtimit të një ndërmarrje të mirëfilltë fitimprurëse që të administrojë fermën universitare që do të ndërtohet me fondin e dedikuar 1 milion euro nga qeveria, si pjesë e këtyre ndërveprimeve që kanë filluar dhe do të intensifikohen me universitetet”, tha Rama.

Po ashtu, sipas tij, Universiteti i Arteve në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës po harton projektin për transformimin e plotë që do të sjellë një standard të ri në sallën e madhe, që është edhe një hapësirë me një vlerë të caktuar nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.