Agjencia Telegrafike Shqiptare

POLONI – Jo më selfie në Aushvic

VARSHAVË, 25 mars /ATSH-ANSA/ – Mjaft më me fotot mbi binaret e Aushvicit. Muzeu kushtuar ish-kampit nazist të shfarosjes u bërë thirrje vizitorëve të tij të respektojnë 1,1 milionë të shfarosurit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çdo vit, rreth dy milionë persona vizitojnë ish-kampin e vdekjes, një nga simbolet më shkatërruese të Holokaustit.

Megjithatë, pavarësisht sesa i shenjtë është vendi, disa mendojnë që kalimin e tyre aty ta bëjnë të pavdekshëm duke bërë madje edhe fotografi qesharake.

Në një mesazh të publikuar në twitter nga muzeu thuhet se ”kur vjen në Aushvic, kujto se je në vendin ku janë vrarë një milion njerëz. Respektoje kujtimin e tyre!”.

”Ka vende më të mira për të mësuar si të ruani ekuilibrin, por jo në vendin që simbolizon ikjen drejt vdekjes së qindra mijëra personave”, shtohet në të.

Në mbështetje të mesazhit, janë publikuar një seri fotosh të fëmijëve që ecin përgjatë binarëve.

Postimi mori mijëra pëlqime dhe komente pozitive.

“Ishte e nevojshme, zakonet tona kur kemi të bëjmë me fotot janë tërësisht jashtë kontrollit, pa historinë ne nuk jemi asgjë”, shkroi Francesca, një përdoruese e rrjeteve sociale.

“Nuk e kuptoj pse njerëzit bëjnë foto të gëzuara në një vend që ka parë vrasjen e njerëzve të pafajshëm”, përsëriti Moran.

Bërja e fotove të pahijshme në vende si Aushvic duket si një modë që është përhapur pa një arsye të veçantë.

Në vitin 2014, fotoja e një të reje britanike, Breanna Mitchell, në mes të ndërtesave të vdekjes, kishte provokuar një valë proteste në web.

Në vitin 2017, shkrimtari gjermano-izraelit, Shahak Shapira kishte fotokopjuar 12 foto të shkrepura në Memorialin e Holokaustit në Berlin duke ndryshuar sfondin me imazhe nga kampet e përqendrimit dhe, në këtë mënyrë, u shpjegonte njerëzve se çfarë ishin duke bërë.

Muzeu i Aushvicit deklaroi se fotot nuk do të jenë të ndaluara, por kërkohet që vizitorët të sillen në mënyrë të hijshme.

”Nuk do t’i bënte keq askujt të merrte dhe ndonjë libër historie me vete”, thotë muzeu./  /ash/ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version