KQZ, marrëveshje për edukimin e të rinjve për zgjedhjet e 30 qershorit

TIRANË, 25 mars /ATSH – I. Vata/ – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Akademia e Studimeve Politike firmosën sot marrëveshjen e bashkëpunimit për edukimin e të rinjve mbi zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019.

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri dhe drejtori i ASP, Erjon Tase theksuan eksperiencën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve, eksperiencë e cila do të ofrohet gjithashtu me synim kapacitimin strategjik të edukimit zgjedhor si dhe akredimin e kurrikulave të trajnimit që ofrohen për trupën zgjedhore.

KQZ shprehet se “Pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe bashkëpunimi për realizimin e aplikacionit për telefonat smartphone për këto zgjedhje, me qëllim informimin e gjerë të publikut mbi procesin si dhe denoncimin e fenomeneve negative gjatë fushatës elektorale. Programi i edukimit të votuesve për herë të parë mbështetet nga Agjensia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në bashkëpunim me Këshillin e Europës, në kuadër të programit të asistencës parazgjedhore në Shqipëri”.

“Ky program do të zbatohet për herë të pestë në Shqipëri në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR). Fushata do të ketë në fokus mbi 35 mijë maturantë (votues për herë të parë) në shkollat e mesme të vendit, duke synuar informimin e tyre mbi procesin dhe nxitjen për të marrë pjesë në zgjedhje”, thuhet në deklaratë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.