– Balluku: Procesi transparent –
TIRANË, 25 mars/ATSH/ – Përmes një procesi tejet transparent, 10 studentë të fushave të ndryshme janë përzgjedhur për t’u bërë kontrollorë të trafikut ajror.
Afro 300 të rinj aplikuan për t’u bërë pjesë e këtij procesi. Testimi u zhvillua në disa faza dhe zgjati afro 3 muaj, ashtu siç parashikon FEAST, ndërsa i gjithë procesi u bë nën monitorimin e EUROCONTROL.
10 studentët e përzgjedhur tashmë do të nisin akademinë “Entry Point North”, në Madrid për t’u diplomuar si kontrollorë të trafikut ajror.
Përpara nisjes së tyre për në Madrid studentët janë pritur nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila zhvilloi me ta një bashkëbisedim të hapur.
Ministrja e vlerësoi procesin e përzgjedhjes së tyre si më transparentin i cili është aplikuar për herë të parë në Shqipëri nga ALBCONTROL.
“Ju jeni përzgjedhur përmes një procesi transparent që është aplikuar për herë të parë nga Agjencia ALBCONTROL, menaxhuesja e trafikut ajror kombëtar, një proces që ka zgjatur nga 5 nëntori deri në fund të janarit, me disa faza, ashtu siç e parashikon FEAST, që është edhe testi që ju keni kaluar, dhe ajo çfarë ne kemi aplikuar në rastin tuaj ka qenë një supervizim i plotë nga EUROCONTROL”, tha Balluku.
Drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, tha se në pesë vitet e shkuara aviacioni civil shqiptar ka pasur zhvillimin të jashtëzakonshëm, një rritje të volumit të pasagjerëve në 65%, ndërsa pjesa turistike është 10-fishuar nga 2013.
Shqipëria në pjesën e aviacionit është tashmë Europë”.
Një nga studentët e përzgjedhur Domeniko Gjoklaj, 23 vjeç, tha se “kam mbaruar studimet në Bachelor për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, kam vijuar edhe studimet master shkencor po në këtë degë. Pjesëmarrjen në konkursin që zhvilloi ALBCONTROL e pashë diçka shumë të rëndësishme për vazhdimin e karrierës sime, pasi mu duk një rast dhe një mundësi shumë e mirë dhe tani mezi pres të vazhdoj studimet në akademinë në Madrid”.
Ndërsa Kolë Doçi, 23 vjeç, theksoi se “kam mbaruar studimet për Teknologji Informacioni dhe Komunikimi në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kam punuar në një kompani ajrore që të futesha pak më shumë në aviacion aplikova në testin FEAST, sepse mu duk diçka shumë interesante, punë me shumë përgjegjësi dhe ia dola, ashtu si kolegët e mi. Tani kemi trajnimin para, besoj se do bëjmë më të mirën”.
Një tjetër student i përzgjedhur, Eni Maja tha se “kam mbaruar për Informatikë Ekonomike dhe masterin për sistem informacioni, pashë konkursin e ALBCONTROL, i cili kërkonte njohuri për kompjuterat dhe disa aftësi të veçanta që duhet të kenë kontrollorët, dola me sukses nga provimi dhe mezi pres ta tregojmë veten në akademi, se edhe ne mund të bëjmë punë të mira”./k.s/ /a.g/
