“Kërraba n’Fest”, Veliaj: 100 ditë sprint për të vijuar transformimin e Tiranës

Dhjetëra qytetarë iu bashkuan festës së Kërrabës, panair agroushqimor dhe shumë aktivitete për promovimin turistik të zonës

TIRANË, 24 mars /ATSH/ – Një fundjavë ndryshe, afër natyrës dhe ushqimit bio të zonës, por jo larg kryeqytetit. Kërraba mikpriti sot dhjetëra qytetarë të ardhur nga Tirana dhe zonat përreth për të festuar ardhjen e pranverës, përmes një sërë aktivitetesh që promovojnë natyrën, vlerat agroturistike të zonës, si dhe nxisin qytetarët që të konsumojnë sa më shumë prodhime të vendit, si mënyrë e mirë për të ndihmuar ekonominë lokale. Për këtë qëllim, bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit kishin organizuar aktivitete për çdo moshë nën ritmet e muzikës folklorike, piknik, hiking, sporte të ndryshme, panair – agroushqimor dhe shumë argëtim.

Festës iu bashkua edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh se, Kërraba është një nga zonat më mikpritëse, me traditat më të forta, me rrënjë në familje, me kulturë, me njerëz që e duan këtë vend.

“E filluam me “Dajti n’Fest”, para dy ditësh kishim festën e Farkës, sot festën e Kërrabës; ajo që duam të bëjmë është t’i nxjerrim ata që janë në mes të Tiranës, t’u themi dilni, shihni natyrën, takoni njerëz të mirë, konsumoni produkte bio, harxhoni pak lekë, që të fuqizoni komunitetin tonë. Kur dikush blen një produkt lokal, qoftë një kavanoz mjaltë, një shishe raki, pak vaj, nuk është duke blerë vetëm produkte për kuzhinën, por është duke ndihmuar dikë të çojë fëmijën në shkollë, t’i blejë rroba dhe libra. Ndaj kush konsumon produkte lokale, ka konsumuar aktin më të madh të patriotizmit ekonomik që kemi nevojë sot”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se reforma territoriale ishte një nga reformat më pozitive dhe që ndihmoi më së shumti njësitë e vogla, të cilat me të ardhurat e tyre nuk kishin mundësi të bënin investime të mëdha. Ndaj, pas përfundimit të rrugës ku nuk ishte vënë dorë prej gati gjysmë shekulli, Veliaj theksoi se është e nevojshme që të bëhet edhe lidhja me autostradën.

“Fillojmë me këtë takim madhështor 100 ditë sprint, deri në datën 30 qershor. Nuk i bëjmë gjërat për inatin e të tjerëve, i bëjmë për dashurinë tonë. Për dashurinë me njëri-tjetrin. Ndaj, edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që janë demokratë apo kanë bindje të tjera, duam t’ju themi që ne ju duam shumë, do t’ju shërbejmë njësoj, sepse besoj që Tirana është vend për të gjithë. Ka vend për të gjithë. Jo për dhunë, jo për inat, jo për pengesa, por për dashuri, për pasion, edhe për punë non stop”, shtoi Veliaj.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia falënderoi bashkinë e Tiranës për punën e bërë në këtë njësi dhe tha se, Kërraba e votoi në mënyrë unanime kryetarin e bashkisë së Tiranës, sepse bëri zgjedhjen e duhur. “Bëri gjënë e duhur për Kërrabën, dhe do bëjë gjënë e duhur për Tiranën, që ne të ndihemi kryeqytetas europianë, ashtu siç do dëshironim të gjithë”, tha Qefalia. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.