Vuanin nga mungesa e energjisë elektrike, platforma e bashkëqeverisjes zgjidh problemin e 40 familjeve

TIRANË, 23 mars /ATSH/ – Platforma e bashkëqeverisjes “shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, pasi në një kohë mjaft të shkurtër i ka dhënë zgjidhje shumë ankesave dhe probleme të tyre.

Qytetari nga Bashkia Krujë ka treguar rastin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste, ku pasi iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, problemi u zgjidh brenda një kohe të shkurtër.

Ai iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, jo si individ, por si grup qytetarësh të cilët kishin problem me furnizimin me energji elektrike.

Qytetari u shpreh gjatë Kongresit të Partisë Socialiste  se ”ishim rreth 30, 40 familje ku kishim kohë që vuanim nga mungesa e furnizimit me energjisë elektrike. Bëmë një shkresë dhe iu adresuam platformës dhe e veçanta ishte që kjo ankese, u bë në mënyrë elektronike pa trokitur në asnjë zyrë dhe pas një jave kemi parë punonjës të OSHEE-së, së bashku me  Kryetarin e Bashkisë, që solli punonjës shërbimesh për të ndërtuar një kabinë elektrike”.

Qytetari gjithashtu tha se edhe deputeti i zonës ishte i interesuar dhe kjo zgjidhje u bë e mundur për vetëm tre javë, duke e cilësuar si një histori suksesi. ”Mbase kjo është diçka e vogël, por ka shpëtuar jetët tona”, theksoi ai.

Qytetari falenderoi punonjësit e platformës së bashkëqeverisjes edhe u bëri apel qytetarëve që t’i drejtohen kësaj rruge mjaft të shkurtër.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.