Gjonaj: Reforma në Drejtësi e pandalshme, mbi 1 mijë zyrtarë të ndëshkuar

TIRANË, 23 mars /ATSH-Gjergji Mima/ – “Ne jemi partia që inicuam reformën më të thellë në 28 vjet, Reformën në Drejtësi. Reforma më e rëndësishme në përpjekjen tonë shtetformuese, në sfidën tonë kryesore si mazhorancë qeverisëse për të ndërtuar ndërtuar shtetin e së drejtës, shtetin në shërbim të qytetarëve“.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke folur në Kongresin e Partisë Socialiste theksoi se, reformën në drejtësi mund ta ideonte vetëm PS.

“Një reformë që vetëm PS mund ta ideonte dhe realizonte. Dëgjuam zërin e qytetarëve kur ideuam këtë reformë. Për të pastruar pallatin e drejtësisë nga korrupsioni, për t’u kthyer besimin qytetarëve tek drejtësia si dhe për t’u dhënë qytetarëve një drejtësi të barabartë dhe të drejtë. Sot dua të ju them se reforma në drejtësi pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur është e pandalshme dhe rezultatet e saj deri tani janë vetëm fillimi”, tha Gjonaj.

Gjonaj theksoi se, “PS si mazhorancë qeverisëse, është e vendosur për të ecur në rrugën e reformave për të bërë shtet. Për ta kthyer shtetin dhe institucionet e tij vetëm në shërbim të qytetarëve”.

“Në këtë përpjekje ne zgjodhëm për herë të parë një qasje të re për qeverisjen, një koalicion për të bashkëqeverisur me qytetarët dhe vetëm për qytetarët. Platforma “shqiperiaqeduam” u bë që në fillim të këtij mandati një dritare komunikimi të çdo qytetari me kryeministrin, çdo ministër dhe drejtues institucioni.  Gjatë këtij mandati kemi pasur qytetarin aleat kryesor. Që na ka ndihmuar të kuptojmë pikërisht, pjesët dështuese të sistemit, ato pjesë të cilat vuajnë nga paaftësia dhe janë të prekura nga korrupsioni. Kanë qenë qytetarët të thjeshtë që na kanë besuar 38 mijë raste të zvarritjes disa vjeçare të të drejtave të tyre të marra peng nga disa punonjës të administratës publike, të cilët kërkojnë ryshfet në këmbim të shërbimit. Ata kanë gjetur zgjidhje brenda një afati të shkurtër kohor, 10 ditë. Ankesa që na udhëhoqën për të ridimensionuar reformat në shërbime dhe në administratën publike”, tha Gjonaj.

Gjonaj nënvizoi se, janë plot 22500 qytetarë kanë gjetur zgjidhje nëpërmjet platformës “shqiperiaqeduam.al”.  Më shumë se 1 mijë punonjës të  administratës publike, janë ndëshkuar për të gjitha padrejtësitë e bëra në kurriz të qytetarëve dhe plot të tjerë kanë shkuar përpara drejtësisë”.

“Lufta kundër kurrupsionit është ndër prioritetet kryesore të qeverisë gjatë këtij mandati. Kemi arritur rezultate pozitive të pakrahasueshme pak vite më parë. Por, jemi të bindur se beteja vazhdon. Korrupsioni nuk mund të zhduket në një ditë apo mandat të vetëm. Jemi në rrugën e duhur me vullnet të fortë dhe angazhim serioz, së bashku me aleatin tonë kryesor, qytetarët, që na mbështesin fort, në përpjekjen tonë të forcimit të shtetit dhe të ligjit. Ngritja dhe funksionimi i institucioneve të reja të drejtësisë së re, forcimi i strukturave antikorrupsion të qeverisë, thellimi i procesit të reformimit të shërbimeve dhe një administratë profesioniste në bashkëqeverisjen me qytetarët dhe për qytetarët do të na japë vetëm një qeverisje shumë më të mirë por njëkohësisht do të na shërbejë për rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe shteti. Sepse për këtë mazhorancë prioritet është vëmendja për qytetarët”, theksoi Gjonaj. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.