SIDNEJ, 22 mars /ATSH-AFP/ – Një peshk-hënë 1,8 metra i gjatë, peshk me skelet kockor, specia më e rëndë që ekziston në Tokë, ngeci në cekëtinë në një plazh australian dhe fotot e këtij peshku të panjohur bënë xhiron e botës.
Peshku-hënë ose peshku gjigant u gjet i ngordhur në grykëderdhjen e lumit Murray, në jug të Australisë këtë fundjavë.
Ky lloj peshku shquhet për madhësinë dhe formën e veçantë të tij të sheshtë. Ai mund të peshojë deri në 2,5 tonë sipas ”National Geographic”.
Arsyet e ngecjes në cekëtinë të peshkut-hënë nuk dihen ende. Zakonisht ato përplasen me anijet dhe disa janë aq të mëdhenj sa mund të rrëzojnë një anije me vela’’, pohon Ralph Foster, drejtues i koleksionit të peshqve të ‘’South Australian Museum’’.
Peshku-hënë ishte në fakt me një madhësi më shumë mesatare për specien e tij, sipas tij.
‘’Ne dimë shumë pak rreth kësaj specie, dhe vetëm kohët e fundit në sajë të teknologjisë na është mundësuar të fillojmë të mbledhim informacione. Kjo specie është klasifikuar ‘’në mbrojtje’’ nga Bashkimi Ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës (UICN).
Pamjet e peshkut-hënë të postuara në Facebook nga Linette Grzelak ngjallën vërtetë kuriozitet. Numri i medieve në mbarë botën që dëshiron ta intervistonin ishte i pabesueshëm. Nuk e prisja një gjë të tillë’’, pohon ajo për median./ /v.b/