Zonat rurale, Balluku: Investime të prekshme në infrastrukturë, energji e ujësjellësa

TIRANË, 21 mars /ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se programi i qeverisë është i fokusuar në përmirësimin e kushteve të jetës dhe punës në fshat dhe sot investimet në infrastrukturën rrugore, energjetikë dhe ujësjellësa e kanalizime janë një realitet i prekshëm.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit, Balluku theksoi se, “në 6 vitet e fundit në shkallë vendi janë zbatuar në zonat rurale, 67 projekte me vlerë 42 miliardë lekë në sistemin e ujit të pijshëm, ku përfitues janë 250 mijë banorë”.

Për sa i takon sektorit të energjisë elektrike, fillimi i reformës së thellë në vitin 2014 shënoi një kthesë të fortë pozitive në drejtim të sigurisë dhe cilësisë në furnizimin me energji. Investimet konsistuan në nënstacione të reja, linja e kabina të tensionit të mesëm, si dhe në vendosjen e matësve dixhitalë në të gjithë zonën e ndërhyrjes në fshat.

Balluku tha se “14.5 miliardë lekë janë investuar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në zonat rurale. Shifër kjo 14,5 herë më e madhe se investimet gjatë periudhës së qeverisjes së mëparshme”.

Gjithashtu theksoi ajo, “programet tona ambicioze do të vijojnë më tej në normalizimin e  situatës së furnizimit me energji në të gjitha zonat rurale të vendit. Programi i investimeve të balancuara edhe me qasje territoriale do të vazhdojnë edhe në vitet e ardhme me rreth 25 miliardë lekë vetëm në sistemin e shpërndarjes, pa përfshirë këtu investimet e KESH-it me vlerë 1 miliard lekë në infrastrukturën lokale, krahas investime në sistemin energjetik, krahas investimeve në Sistemin e Transmetimit të Energjisë që arrijnë në 22 miliardë lekë në zonat rurale ku janë vendosur asetet e OST-së”.

Ndërsa nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) janë kryer investime në vlerën e 750 milionë lekëve, për akset kombëtare që kanë impakt të drejtpërdrejtë në zonat rurale të vendit.

Balluku tha se, ndryshimet e viteve ’90 nuk sollën shumë avantazhe për banorët e zonave rurale. Vështirësive në bujqësi dhe blegtori iu shtua edhe mungesa e theksuar e vëmendjes nga ana e qeverive të ndryshme, çka ka bërë që fshati të braktisej nga banorët e tij dhe këta banorë të kërkonin mundësi jetese në qytete apo të emigronin jashtë vendit.

“Ndryshimi nuk ishte i lehtë, megjithatë qeveria ‘Rama’ përmes investimeve konkrete në fusha të ndryshme, po bën të prekshme një realitet të ri për t’i shndërruar zonat rurale në  produktive, fitimprurëse për banorët e saj dhe atraksione të zhvillimit, përmes strategjive dhe projekteve që po adresohen për këto zona”, – theksoi Balluku.

“Strategjitë nënsektoriale të zhvillimit bujqësor rural do të jetë prioritet të punës tonë” –  tha ajo. /e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.