Zëri i personave me Sindromën Down, çdo vit më i fortë

TIRANË, 21 mars /ATSH – I. Vata/ – Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi tha se çdo vit më 21 mars zëri i personave sindromën Down bëhet më i fortë, duke kujtuar kështu, ditën botërore të sindromës Dawn

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi tha se ka qenë i vendosur të mbrojë të drejtat e personave me sindromën Down, kurdoherë me vendime të ndryshme, dhe i bashkëngjitet të gjitha nismave që luftojnë diskriminimin e këtij komuniteti, si dhe promovon kulturën e gjithë përfshirjes në shoqëri.

“Çdo vit me 21 mars, zëri i personave sindromën Down, si dhe i personave që jetojnë apo punojnë me ta, bëhet më i fortë! Në këtë ditë, organizmat që punojnë për këtë çështje organizojnë dhe marrin pjesë në aktivitete që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të publikut për sindromën Down”, shprehet KMD.

Po ashtu, KMD  shton se “personat me sindromën Dawn gëzojnë të drejta të plota dhe të barabarta me gjithë të tjerët. Kjo nënkupton mundësinë për pjesëmarrje të plotë në komunitetin e tyre. Realiteti tregon se, prania e qëndrimeve negative kundrejt këtyre personave sjell pritshmëri të ulëta, diskriminim dhe përjashtim, duke krijuar komunitete në të cilat fëmijët dhe të rriturit me sindromin Dawn nuk mund të integrohen në mënyrë të barabartë”.

“Në ato vende ku fëmijëve me sindromën Dawn u jepen mundësi për pjesëmarrje, duke krijuar mjedise shoqërore, pranuese, respekti dhe pritshmëri të larta, të cilat rezultojnë të jenë shumë efektive për këta persona. Jo vetëm kaq, por këto mjedise u mundësojnë fëmijëve me sindromën Dawn të jetojnë dhe të punojnë me besimin në autonominë individuale, të përfshirë plotësisht në shoqëri së bashku me moshatarët e tyre”, shton KMD. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.