Sulmohet me bojë kandidati për deputet, Gjoni: Nuk frikësohem për këtë lloj destabilizimi

TIRANË, 21 mars/ATSH/- Ralf Gjoni i cili pranoi të marrë mandatin e deputetit nga radhët e LSI-së, është sulmuar sot me bojë teksa po dilte nga banesa e tij për të iu drejtuar seancës së sotme plenare në Kuvend për të bërë betimin.

Në një prononcim për mediet para Kuvendit, Ralf Gjoni tha se “AI dhe AJO që e kanë përsëritur këtë lloj sjellje rrugaçërie duhet ta dinë që unë kam ardhur këtu të betohem dhe nuk frikësohem për asnjë moment për këtë lloj destabilizimi që ata po përpiqen të mbjellin në vendin tonë”.

Gjoni deklaroi se “jam këtu që të përfaqësoj të gjithë ata të rinj, të reja pozitivë, prindër fëmijësh që kanë shpresë se ky vend mund të bëhet”.

I pyetur se kush mund ta ketë sulmuar, Gjoni tha se “ju mund ta merrni mend më mirë se unë. Policia besoj se po bën verifikimet”.

Ai tha se “kam ardhur për të përfaqësuar të gjithë ata shqiptarë që ndihen të papërfaqësuar nga kjo klasë politike e papërgjegjshme”.

Ai tha se nuk do të lejojë që “emri im dhe kontributi im të keqpërdoret në interes të disa rrugeçërve”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.