Protesta, Paloka: Kemi mandatin e qytetarëve

TIRANË, 21 mars /ATSH – I. Vata/ – Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi sot se PD ka mandatin e qytetarëve për ta çuar Shqipërinë në Europë dhe kjo nuk ka kthim pas.

“Një orë e më parë të mbarojnë vuajtjet për shqiptarët. Sa më shumë ta zgjasë agoninë Edi Rama në karrigen e tij aq më shumë do të shtohen vuajtjet për shqiptarët. Kjo rrugë nuk ka më kthim. Kush nuk e ka kuptuar, e ka për faj të tij. Shqiptarët nuk kthehen më prapa”, tha ai.

Duke folur për dorëzimin e mandateve të opozitës, Paloka tha se ne kemi mandatin e qytetarëve për ta çuar vendin drejt Europës.

“Ne i kemi dorëzuar mandatet e atij parlamenti dhe ne kemi marrë mandatet e qytetarëve. Kemi marrë mandatin për ta çuar këtë vend aty ku duhet të shkojë, drejt Europës. Nuk ka Shqipëri në Europë me banda dhe krim që blejnë dhe vjedhin vota”, tha ai.

Paloka i ka bërë thirrje policisë të mos dalë kundër qytetarëve që protestojnë.

“Kam një thirrje edhe për ata policë të ndershëm që vërtetë janë aty dhe janë me një rrogë sa për të mbajtur familjen, mos u bëni pjesë e këtij pushteti kriminal, mos dilni kundër vëllezërve dhe motrave tuaja. Jemi këtu për të drejtat e tyre por edhe për të drejtat tuaja, që edhe ju të jetoni si njerëz. Mos u ktheni kundër qytetarëve. Asnjë prej jush që sot shkel ligjin dhe dhunon popullin e tij nuk do të rrijë pa përgjigje nesër”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.