TIRANË, 21 mars /ATSH – I. Vata/ – Protesta e opozitës është mbyllur në orën 15:00 në selinë e Partisë Demokratike, ku fjalën përshëndetëse e mbajti nënkryetari i PD-së Edi Paloka.
Në fjalën e tij, Paloka theksoi se nuk ka paqe kjo qeveri deri në vendosjen e demokracisë.
“Beteja vazhdon deri në fitoren e sigurt. Betejat nuk kanë mbaruar, jemi nisur në një rrugë drejt fitores. Nuk ka asnjë forcë që të ndal qytetarë në protestë për të drejtat e tyre. Nuk do të ketë asnjë ditë stabilitet për këtë qeveri deri se demokracia të rikthehet në Shqipëri”, tha ai.
Demonstruesit qëndruan para parlamentit më shumë se dy orë, duke u ulur në shesh dhe më pas u zhvendosën para godinës së Drejtorisë të Policisë së Tiranës.
Protestuesit kërkuan lirimin e protestuesve të ndaluar gjatë tubimit të 16 marsit.
Demonstruesit kërkuan edhe lirimin e qytetarëve që janë ndaluar për verifikim.
Demonstruesit u nisën drejt selisë së PD-së, ku u përmbyll edhe protesta e kësaj të enjteje. /j.p/
