Ndreu: Reforma në Drejtësi po ecën. Lider gjykues kemi BE-në dhe jo opozitën

TIRANË, 21 mars/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu gjatë një interviste televizive komentoi protestën e së enjtes para Kuvendit të organizuar nga opozita, ku sipas tij ”dhuna, hedhja e sendeve të forta ndaj deputetëve nuk ndodh në asnjë shtet në botës”.

Histori të turpshme, e cilësoi ai protestën e sotme “nëse nuk shkon në Parlament dhe do protestosh çdokush është i lirë ta bëjë, por të dhunosh, të pengosh zhvillimin e seancave plenare nuk është e drejtë”.

“Nëse nuk do ta kryesh detyrën, lëri të tjerët ta bëjnë detyrën e tyre. Politika nuk bëhet me teka. Inkurajim për deputetët e rinj që morën pjesë në Parlament. Axhenda, Reforma në Drejtësi do të shkojë përpara, duam apo nuk duam ne”, – tha Ndreu.

Gjatë kësaj bisede Ndreu, foli edhe për Reformën në Drejtësi ku sipas tij 99% e analistëve nuk ia kanë haberin kësaj reforme.

“Reforma është e vështirë për t’u përkthyer, është sëpatë mbi politikën shqiptare.
Qeveria tranzitore bëhet kur ka krizë në mazhorancë, por kjo nuk qëndron sot. Opozita po pengon dhe nuk është mbështetur nga ndërkombëtarët. Ne nuk ndërtojmë politikë me tekat e opozitës, as media nuk duhet ta promovojë këtë gjë. Opozitarët nuk janë ulur në tryezë dhe nuk kanë patur as indicien për t’u ulur. Sjellja jonë politike është normale, sjelljen anormalen e ka opozita”, tha Ndreu.

Pyetjes se çfarë do bëni nëse vijojnë protestat? Ndreu sqaroi se “ne do të vazhdojmë të ushtrojmë detyrat tona. Reformat po ecin, lider gjykues kemi BE-në dhe jo Bashën e Kryemadhin”.

Ndër të tjera deputeti socialist gjatë kësaj bisede foli edhe për deklaratë e Presidentit të Republikës Ilir Meta, ku u shpreh se “nuk di ta përkthej deklaratën e tij”.

Ndreu theksoi se “jam i bindur që më 30 qershor do të bëhen zgjedhjet lokale ku dhe kandidatë do të ketë, pëlqime ka që të jem unë një kandidaturë në Lezhë. Unë po përgatitem që të kem kundërshtar dhe të fitoj me kundërshtarin”.

/m.z/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.