Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita botërore e Sindromës Down, Meta apelon për solidaritet

TIRANË, 21 mars /ATSH/ – Presidenti Ilir Meta në ditën botërore të sindromës Down, apeloi për solidaritet, dashuri dhe ndihmë të pakufishme për fëmijët me këtë sindromë.

Meta, theksoi se ka një falënderim të veçantë ndaj prindërve, edukatorëve dhe aktivistëve që kujdesen për këta fëmijë.

“Emocione të forta ndjej gjithmonë nga dashuria e pastër që dinë të falin fëmijët e mrekullueshëm të prekur nga sindroma Down. Përherë mbresëlënëse do të mbeten edhe takimet me ta, kur më kanë njohur me pasionet, por edhe me talentet e jashtëzakonshme të tyre. Ndjenja që jam i bindur, se i kemi përjetuar të gjithë”, shprehet Meta.

“Ndaj sot, në ditën botërore të sindromës Down, një thirrje të fortë u bëj të gjitha institucioneve dhe shoqërisë, për solidaritet, dashuri dhe ndihmë të pakufishme në përkrahje të tyre, për t’i ndihmuar fuqimisht për të zhvilluar potencialet drejt një jete të pavarur e të mirintegruar. Mirënjohje e falënderim të veçantë kam sot edhe për prindërit, por edhe edukatorët e aktivistët që kujdesen me përkushtimin ndaj këtyre fëmijëve, për këtë mision që fisnikëron jo vetëm ata, por të gjithë shoqërinë”, thekson Meta.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version