Balluku me prodhuesit e energjisë: Do lehtësojmë procedurat në sistemin e shpërndarjes

TIRANË, 21 mars/ATSH/- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë interpelancës me prodhuesit e energjisë së rinovueshme, fotovoltaike, theksoi sot se do të ngrejmë një grup pune të përbashkët mes ministrisë dhe grupit të interesit dhe sigurisht me përfaqësuesit e OSHEE për lehtësimin e procedurave në sistemin e shpërndarjes së energjisë.

Në interpelancën e kërkuar përmes Platformës së Bashkëqeverisjes, ministrja Balluku u shpreh se “ky grup duhet të nisë punën menjëherë se gjëja më e mirë është të krijojmë një grup pune të përbashkët. Duke qenë se të gjithë komponentët si ju keni nevojën dhe dëshirën për ta nxitur dhe përfunduar këtë proces, ashtu edhe ne duam ta përfundojmë këtë proces dhe të zbardhim aktet nënligjore, sepse askush nga ne nuk ka dëshirë të jemi në kushtet e vonesës”.

Ministrja Balluku tha se “të gjithë ministrat kemi indikatorë matës të performancës dhe do ta nxis grupin tuaj të punojë dhe të nxjerrë një produkt për sa i përket metodologjisë dhe të gjithë pjesës tjetër sa më parë të jetë e mundur”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prodhuesve të energjisë, Balluku theksoi se “OSHEE është vërtet sh.a por është një nga aktorët kryesore shtetërorë të energjisë në vend. Po punoj ngushtë me stafet teknike dhe administrative të OSHEE për të kuptuar situatën dhe për t’i dhënë një zgjidhje. Askush nga aktorët shtetërore të fushës së energjisë nuk është kundër këtij procesi”.

Sipas saj, ligji numër 7 dhe neni 15 që prodhuesit e energjisë i referohen është i qartë, është një ligj që nxit energjinë e rinovueshme.

“Ne nuk jemi kundër autoprodhuesve dhe jemi për t’iu mbështetur dhe ju jeni një shembull për t’u ndjekur nga të gjitha bizneset”, iu drejtua Balluku grupit të interesit.

Impakti energjetik, vijoi ajo, që ju do të jepni në rrjet sigurisht nuk do të zbusë importin në vite të vështira të energjisë, importit zbutet dhe është në strategjinë tonë që importi të zerohet dhe prodhimi vendas të mbulojë nevojën, përmes kapaciteteve të mëdha.

“Sa më shumë autoprodhues aq më pak ne do na duhet të importojmë, por sigurisht ju nuk arrini të impaktoni importin e energjisë në vend, sepse injeksioni që ju bëni në rrjet është një injektim shumë i vogël”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës tha se “ju në rrjet injektoni sasi të energjisë elektrike të vogla që janë teprica sepse ju keni përdorur sasinë e prodhuar per nevojat tuaja se jeni autoprodhues dhe këto sasi të vogla energjetike vijnë në rrjet në mënyrë të paorganizuar”./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.