30 milionë euro investime do të ulin humbjet në rrjetin energjetik

TIRANË, 21 mars/ATSH-Maela Marini/ “Marrëveshja e re me KfW për një kredi të butë me vlerë 30 milionë euro synon reduktimin e humbjeve në rrjet dhe rritjen e eficiencës në furnizimin me energji të konsumatorëve”.

Kështu deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë diskutimit në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2016 për projektin “Programi i investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike I””.

Balluku tha se përmes kësaj marrëveshje, përveç kredisë së butë në masën 30 milionë euro, Shqipëria përfiton edhe një shumë financimi prej 2 milionë euro për masat e nevojshme për zbatimin e projektit.

Ky program, sipas Ballukut, është në kuadër të planit për rimëkëmbjen e sektorit energjetik dhe ka si synim kryesor uljen e humbjeve në rrjet në 16% deri në vitin 2022.

“Kjo kredi është një investim i mirëfilltë për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë, në ndryshim nga e kaluara kur kreditë janë përdorur për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura”, tha Balluku.

Ajo theksoi po ashtu se, “programi synon ngritjen e kapacitetit të sistemit të shpërndarjes së energjisë në Shqipëri, reduktimin e emetimeve të CO2, përmirësimin e furnizimit me energji elektrike etj”.

Konkretisht, Balluku tha se “në nënstacionet që janë brenda fushës së veprimit të programit synohet reduktimi i humbjeve në të paktën 20%”.

“Arritja e objektivave të programit përkthehet në një shërbim më të mirë për qytetarët shqiptarë, rritjen e eficiencës dhe konsolidimin e tregut. Programi do të zbatohet për 4 vjet, nga viti 2019 deri në vitin 2023 dhe realizimi i investimit do të jetë intensiv”, tha Balluku.

Ky investim, sipas saj, “jo vetëm ndikon pozitivisht në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike, por edhe i kursen ekonomisë shqiptare miliona euro të munguara çdo vit”.

“Zbatimi i programit të investimeve për shpërndarjen e energjisë elektrike është në kuadër të angazhimeve në reformën e energjisë dhe synon reduktimin e humbjeve në rrjet, përmirësimin e rrjetit, si dhe rritjen e eficiencës së furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve shqiptarë”, tha Balluku. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.