Tre të arrestuar në Tiranë, Policia kontrolle të shtuara për ndalimin e lëndëve narkotike

TIRANË, 20 mars/ATSH/ – Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave për intensifikimin e kontrolleve me qëllim rritjen e forcës parandaluese dhe goditëse në drejtim të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla , kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Qelqi”.

Si rezultat gjatë operacionit specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Tiranë, kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: E. Xh., 26 vjeç, banues në Tiranë; S. D., 24 vjeç, banues në Tiranë; A. B., 24 vjeç, banues në Tiranë

Tre shtetasve të mësipërm gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po udhëtonin, Policia iu gjeti dhe sekuestroi një sasi prej 1 kilogram e 251 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis sativa. Këta shtetas kishin si qëllim nxjerrjen dhe shitjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit. Për të shmangur dyshimet e Policisë mjetin me të cilin po qarkullonin këta shtetas e kishin marrë me qira.

Po gjatë operacionit ra në prangat e Policisë edhe shtetasi B. V., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”.

Policia dispononte informacione se ky shtetas merrej me shpërndarje të lëndëve narkotike të drogave të forta, kryesisht heroinë në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe rrugës së “Qelqit”. Lëndën narkotike ky shtetas e siguronte nga persona të tjerë, për të cilët vijon puna për kapjen e tyre.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.