Manastirliu nga Shkodra: Të zbatohet në mënyrë rigoroze regjimi i ri disiplinor në spitale

TIRANË, 20 mars/ATSH/ – Gjatë vizitës në spitalin rajonal të Shkodrës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu kërkoi angazhimin e drejtorëve të spitaleve dhe shefave të pavijoneve për zbatimin e regjimit të ri të spitaleve.

“Jemi të vendosur të zbatojmë regjimin e ri në spitale për orarin e vizitave të familjarëve në pavijone dhe ky ndryshim nis e para nga vetë mjekët”, – tha Manastirliu.

Gjatë bisedës me mjekët, ministrja deklaroi nga Shkodra se po punohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, që, kanosja e profesionistëve të mjekësisë për shkak të detyrës të përfshihet specifikisht në Kodin Penal, me ashpërsim të masave për ata që dhunojnë bluzat e bardha.

“Ne jemi duke ndërmarrë me Ministrinë e Drejtësisë prej 2 muajsh nismën për ndryshimet në Kodin Penal. Kemi rënë në një draft të Kodit Penal lidhur me dy ndryshime të rëndësishme. E para, përsa i përket mjekimit të pakujdesshëm, duke u marrë dhe duke u vlerësuar praktika ndërkombëtare për gabimet mjekësore dhe neglizhencën në mjekim dhe elementi i dytë, është vendosja në Kodin Penal të kanosjes për shkak të detyrës kundër profesionistëve të shëndetit, si një vepër penale e cila duhet të dënohet me burg”, – deklaroi Manastirliu.

Gjatë vizitës në spitalin e Shkodrës, Manastirliu tha se do të vijojnë investimet në këtë spital, i cili është mbështetur me 1.8 milonë euro gjatë 4 viteve të fundit për aparatura mjekësore moderne, si angiograf, rezonancë magnetike, etj. z.tosku/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.