Krijohet sistemi i integruar i të dhënave të drejtësisë penale për të mitur

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave përcaktoi sot rregullat lidhur me krijimin, organizimin, funksionimin dhe karakteristikat e përdorimit e aksesimit, të dhënat parësore e dytësore dhe dhënësin e informacionit të sistemit të integruar të të dhënave të drejtësisë penale për të mitur.

Ky sistem përmban të dhëna elektronike të përditësuara mbi çdo fazë të procedimit penal, përfshirë edhe ekzekutimin e vendimit penal, ku përfshihen të miturit në konflikt me ligjin penal, të mitur viktima dhe dëshmitarë të veprave penale.

Sipas këtij vendimi, përdorimi dhe aksesimi i sistemit mbështetet në parimin e respektimit të jetës private, të dinjitetit dhe personalitetit të të miturit, si dhe në parimin e konfidencialitetit.

Sistemi i integruar i të dhënave të drejtësisë penale për të mitur, si bazë të dhënash shtetërore, hostohet në serverët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (në vijim, AKSHI).

Ky është një sistem unik dixhital që gjeneron tregues bazë për gjendjen e kriminalitetit për të miturit, numrin e përsëritësve nga grupmoshat e mitura, shkallën e riintegrimit apo rehabilitimit të të miturve pas kryerjes së dënimit me burgim, ose në rastet kur nuk janë dënuar me burg.

Po ashtu sistemi identifikon numrin e të miturve në konflikt me ligjin të proceduar në gjendje lirë, të arrestuar, të ndaluar; numrin e të miturve në konflikt me ligjin, të trajtuar me procedurën e shmangies nga ndjekja penale dhe nga dënimi përmes masave alternative; numrin e të miturve në konflikt me ligjin, të gjykuar e të dënuar; llojin e veprave penale të kryera nga të mitur, si dhe numrin e viktimave të mitura dhe llojin e veprave penale të kryera ndaj tyre. /m.m/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.