Patos/ Drejt përfundimit shkolla 9-vjeçare, kushte më të mira për nxënësit

TIRANË, 19 mars/ATSH/ Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Meleq Gostnishti” në Patos, po shkon drejt përfundimit, ndërsa ambientet janë transformuar totalisht me kushte dhe standarde bashkëkohore.

Kryetarja e bashkisë Patos, Rajmonda Balilaj inspektoi sot punimet e kësaj shkolle, e treta që po rikonstruktohet në Patos pas shkollës “Hekuran Maneku” dhe gjimnazit “Zhani Ciko”.

“Kjo shkollë po bëhet gati për vitin e ri arsimor, për të pritur qindra nxënës në ambiente tërësisht të reja, me një palestër të shtuar dhe klasa tepër moderne”, – u shpreh ndër të tjera kryebashkiakja Balilaj.

Ndërkohë sipas saj, “disa shkolla të tjera të bashkisë Patos presin të marrin financim për të filluar nga zbatimi i projekteve për rikonstruksionin e tyre”.

Shkolla “Meleq Gostnishti” në Patos po restaurohet me fonde të buxhetit të shtetit.

Godina është rikonceptuar me më shumë ambiente, ku një kat i sipërm do të shërbejë për klasat laboratorike dhe do ndërtohet një palestër me të gjitha parametrat e duhur.

Sheshpushimi po ashtu do të trajtohet me lulishte dhe kënde sportive, ndërsa rrethimi do të unifikojë lidhjen me lulishten e lagjes “1 Maji”.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.