Ndahet nga jeta Shyqyri Alushi, Margariti: Pranvera e humbi bilbilin e fundit të ahengut shkodran

TIRANË, 19 mars /ATSH/ – Ndahet nga jeta ikona e këngës popullore shkodrane Shyqyri Alushi. Ai u shua në moshën 84-vjeçare për shkak të një sëmundje.

Shyqyri Alushi ishte një prej këngëtarëve më të mirë shkodran, me një karrierë shumë të pasur në muzikën popullore. Me interpretimin e tij ai u bë një nga këngëtarët më të dashur të publikut për shumë dekada me radhë në rang kombëtar.

Ministria e Kulturës Elva Margariti shprehet për këtë humbje në artin shqiptar se, “pranvera filloi me ardhë” e humbi bilbilin e fundit të ahengut shkodran, por jo zërin shkodran që do të jetojë përjetësisht edhe pas ikjes. Mirënjohje për kontributin e një jete, pasionin e dashninë për Këngën Popullore. Lamtumirë Mjeshtër Shqyri Alushi!”

Shyqyri Alushi mbetet një prej artistëve me një numër shumë të madh këngësh të interpretuara nga ana e tij. Kohët e fundit u la në harresë nga të gjitha pushtetet, duke mos i dhënë asnjë lloj mbështetjeje apo kujdes për kontributin e tij në muzikën dhe artin e kulturën shqiptare. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.