“South Albania Heritage”, aplikacioni pasurohet me trashëgiminë dhe turizmin në Vlorë

TIRANË, 18 mars/ATSH/ – Trashëgimia kulturore dhe natyrore në rajonin e Vlorës është tashmë pjesë e aplikacionit “South Albania Heritage”.

Ky aplikacion u mundësua me iniciativën dhe mbështetjen e GIZ përmes “Zhvillimit të Integruar të Qëndrueshëm të Rajonit të Bregdetit Jugor”, program i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Vlorë dhe Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura Vlorë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë menaxhon trashëgiminë kulturore në këtë territor ku dallojmë 3 parqe arkeologjike, 5 qendra historike, mbi 220 monumente kulturore dhe trashëgimi kulturore jomateriale të kësaj zone.

Gjithashtu në aplikacion janë të pasqyruara përveç atraksioneve kulturore edhe ato natyrore me rreth 90 monumente natyrore dhe 6 zona të mbrojtura.

Një aplikacion që do t’ju çojë në çdo udhëzues të mundshëm në Shqipërinë e Jugut, mund të jetë vizitë kulturore, shëtitje, zhytje etj. Çdo gjë për të eksploruar e gjeni të treguar në hartë me detajet e veta.

Ky aplikacion ju ofron dhe komoditetin e itinerarit më të mirë për të ndjekur, për të shkuar në të gjitha destinacionet që ju zgjidhni të vizitoni.

Këtë aplikacion mund ta shkarkoni falas në Google Play dhe App Store.

Vlora është e vendosur në një pozicion mjaft të përshtatshëm në qendër të gjirit me të njëjtin emër. Një numër i madh sitesh arkeologjike dhe monumentesh përfaqësojnë periudhat e ndryshme të historisë së Vlorës. Qyteti bregdetar përmendet pothuajse në të gjithë itineraret e kohës perandorake romake, si dhe një skenë e përshtatshme për ata që vinin nga Hydrunti (Otranto) apo Brindisi, por në radhë të parë si stacion në rrugën nga Apolonia për në Butrint, ku sipas burimeve historike në antikitetin e vonë u kthye në qendër peshkopale dhe njëkohësisht ishte një nga tetë qendrat më të rëndësishme të provincës së Epirit të Ri.

Trashëgimia kulturore e historia e jashtëzakonshme, së bashku me peizazhin e mrekullueshëm të gjirit të Vlorës dhe një sërë monumentesh natyrore përreth tij e kthejnë këtë qytet në një atraksion të pakrahasueshëm turistik. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.