Sorensen: Zyrat e Punës tejkaluan objektivin e vitit 2018 me 148 %, reflektim i rritjes ekonomike

TIRANË, 18 mars/ATSH-A.Fortuzi/- Zyrat e Punës tejkaluan objektivin e vitit 2018 me 148%. Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Dajna Sorensen u shpreh se “viti 2018 ka qenë viti i ndryshimeve të mëdha për rrjetin e Zyrave të Punës në të gjithë vendin, ndryshime që kanë sjellë rritje të punësimeve, si reflektim i rritjes ekonomike”.

Zëvendësministrja Sorensen, e ftuar në ERTV ka theksuar se “për vitin 2018 Zyrat e Punës patën disa objektiva shumë ambicioze të cilat duhet t’i arrinin. Presupozohej të punësoheshin rreth 25 mijë persona, por faktikisht jo vetëm që u arrit objektivi, por edhe u tejkalua me 148%. Në vitin 2018, janë 34 669 shqiptarë që kanë marrë ndërmjetësimin për punësim nga zyrat e punës”, tha Sorensen.

Ajo shtoi se, vendet e punës nuk i krijon Zyra e Punës, por bizneset që sot ofrojnë më shumë vende pune. Sorensen u ndal edhe te shifrat e kategorive që janë trajtuar me prioritet për punësim nga Zyrat e Punës.

“Nga këto 34 669 persona që u punësuan përmes zyrave të punës, rreth 13 400 kanë qenë të rinj, por një prioritet të veçantë kanë patur ata që ishin në skemën e ndihmës ekonomike dhe mbi 4000 familje kanë përfituar në 2018-n nga skemat e shërbimit kombëtar të punësimit. Përveç këtyre, fokus ka pasur edhe te gratë e vajzat, kryefamiljare, komuniteti rom dhe egjiptian, që janë edhe shtresat më vulnerabël në tregun e punës”, shtoi Sorensen.

Sot Zyrat e Punës ofrojnë paralelisht 8 Programe të nxitjes së punësimit, ashtu si edhe programe aftësimi profesional që synojnë të pajisin punëkërkuesit me një set aftësish, për të cilat biznese shprehin nevojën.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.