Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rritje e bashkëpunimit mes bashkive të Tiranës dhe Pragës

TIRANË, 18 Mars /ATSH/ – Rritje e bashkëpunimit mes bashkive të Tiranës dhe Pragës.

Ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Ilirjan Kuka zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë së Pragës, Zdeněk Hřib.

Qëllimi i takimit ishte intensifikimi i marrëdhënieve në mes dy kryeqyteteve tona, si dhe diskutimi i projekteve të përbashkëta. Pasi e uroi për zgjedhjen në postin e rëndësishëm të Kryebashkiakut dhe e përgëzoi për frymën inovatore që ka sjellë në bashki, ambasadori Kuka foli për vullnetin për të intensifikuar marrëdhëniet në mes dy kryeqendrave, duke vënë në dukje moshën e re dhe vitalitetin që shfaqin të dy drejtuesit e këtyre bashkive.

Në këtë kuadër u dorëzua ftesa e kryebashkiakut, Erion Veliaj për homologun e tij, e cila u prit me interes nga kryebashkiaku Zdeněk Hřib.

Një temë tjetër që u diskutua ishte edhe propozimi i ambasadorit Kuka për t’i vënë emrin e një figure të njohur kombëtare shqiptare në një nga sheshet e Pragës. Kryebashkiaku Hřib u shpreh i hapur ndaj idesë dhe kërkoi që të fillojnë procedurat për zbatimin e kërkesës.

Gjatë takimit u diskutua mundësia e shkëmbimit te eksperiencave ne fusha te ndryshme si Open City, Smart City, Inkubatorë Biznesi, etj, iniciativa te cilat mbështeten nga të dy kryetarët e Bashkive dhe ndihmojnë në rritjen e transparencës dhe përmirësimin e jetës së banorëve. Ambasadori Kuka e njohu Hrib me disa produkte kualitative shqiptare si vera nga kantina “Uka”, etj.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version