Qeveria gjermane, 2 milionë euro për zhvillimin e qëndrueshëm rural

TIRANË, 18 mars/ATSH/ – Ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunimin teknik 2017 për projektin “Zhvillim i qëndrueshëm i zonave rurale”, i hap rrugë një zhvillimi të ri të sektorit rural në vendin tonë.
Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin diskutoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Pjerin Shoshi, drejtor i Programeve të Zhvillimit të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore dhe Zhvillimit, Edlira Ilango drejtoreshë juridike në ministri.

Gjatë fjalës së tij Shoshi tha se projekti prej 2 milionë eurosh nga qeveria gjermane konsiston në vazhdimin e projektit të mëparshëm që GIZ ka mbështetur qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Bujqësisë.

“Ky projekt është bazuar më së shumti në rritjen e asistencës teknike dhe rritjes së kapaciteteve për Ministrinë e Bujqësisë dhe institucioneve të varësisë së saj”, cilësoi ndër të tjera Shoshi.

Pas diskutimeve dhe komenteve, ky projektligj u miratua nga anëtarët e komisionit në parim, nën për nen dhe në tërësi. /e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.