Mbështetja për bujqësinë, dy fermerë përfitojnë 10 milionë lekë për serra diellore

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Dorel dhe Kelvin janë dy fermerë përfitues të skemës së investimeve, nga Fondi i Programit për Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, i vitit 2018 për “Ndërtimin e serrës diellore” në shumën 10 milionë lekë.

Ata vijnë nga një eksperiencë e gjatë 10-vjeçare në biznesin e tregtimit të luleve, ndërsa tani në përgjigje të kërkesës së vazhdueshme nga fermerët e vegjël të zonës së Bërxullës, vendosën të investojnë në serra për mbjelljen e fidanëve (farë domate për mbjellje në fushë).

Kryeministri Edi Rama së bashku me Drejtoren e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca ishte sot në serrën prej 1 ha të mbjellë me fidanë dhe të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, ku të gjitha proceset janë të automatizuara: plehërimi, spërkatja me instekticide, ujitje me pika.

Rama theksoi se fermerët duhet të kenë parasysh se bujqësia është e lidhur me tregun dhe si e tillë, produktet duhet të orientohen sipas kërkesës së tregut.

“Ajo që mund të thuhet me gjithë gojën është që me fondet që kemi në dispozicion dhe me fondet që kemi marrë nga BE, kushdo që do realisht të punojë dhe investojë në bujqësi dhe i ve mendjen projektit dhe mëson si të aplikojë, merr para. Sigurisht që thelbi është se duhet të mësohen që bujqësia është e lidhur me tregun. Nuk mundet ti të rrish vetëm në një parcelë dhe të mbjellësh çfarë të vijë në mend jashtë kontekstit të nevojave të tregut dhe të thuash “pse s’më shitet dhe hajde po dal ta hedh në lumë dhe në rrugë”, tha Rama.

Sipas tij, “duhet dije dhe bashkim forcash”. “Kush bashkon forcat fiton dhe nuk është se e kanë bërë të tjerët. Këtu ka shumë që e bëjnë dhe janë të suksesshëm. Derisa e bën një pjesë, pjesa tjetër duhet të mësojë që ta bëjë. Aq më tepër që me fondet e Komisionit Europian nuk të jep asnjëri një kokërr leku nëse nuk je regjistruar nëse s’ke NIPTI-n, nëse s’ke më shumë se 5 dynym, nëse nuk ke një biznes plan. Kjo është rruga, ne nuk mund të shpikim një rrugë tjetër që të mbajmë me lëmoshë situata që nuk kanë asnjë shans të ndryshojnë. Situatat ndryshojnë nëse njerëzit ndryshojnë, duhet të ndryshojë mendja”, – tha Kryeministri.

Ndërkohë, Doreli tregon se prodhimi i fidanëve të rinj është shumë i rëndësishëm për fermerët e zonës, pasi sera e tyre është e vetmja në zonë që e mundëson këtë gjë. “Këtu prodhohen fidanët, të cilët më pas shkojnë tek fermerët. Është teknologji italiane, kemi 1 ha sipërfaqe, kemi dhe 2 hektarë të tjera. Kemi 20 punëtorë janë të zonës. Po ecim me automatizmin e të gjithë serrës, me vaditjen etj.“, tha ai.

Zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote u shpreh se “kjo zonë nuk ka asnjë serrë që prodhon fidanë siç ka Divjaka, siç ka Fieri, siç ka Lushnja dhe kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për fermerët për t’i orientuar se çfarë duhet të mbjellin”.

Lidhur me përfitimin e fondeve nga ana e fermerëve, në fazën e parë të programit, Drejtorja e AZHBR, Frida Krifca shpjegoi se “ne kemi llogaritur një marzh prej 50% të skualifikimit, kështu që nëse i qëndrojmë buxhetit të çelur që është 50,3 milionë euro supozohet rreth 25 milion euro mund të përthithen nga thirrja e parë. Gjithsesi ky është një proces që duhet parë në vijim, pasi thirrja ka problematika, pasi subjektet nuk janë njohur shumë mirë me procedurat dhe mungon edhe eksperienca e konsulentëve për çështje teknike.”

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.