Balluku: Janë trajtuar 2991 kërkesa për Statusin e Naftëtarit

TIRANË, 18 mars/ATSH/ – Gjatë takimit sektorial të zhvilluar për trajtimin e veçantë financiar të naftëtarëve, minatorëve dhe metalurgëve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se deri tani janë trajtuar 2991 kërkesa për Statusin e Naftëtarit.

“Janë identifikuar rreth 11 mijë punonjës dhe ish-punonjës të cilët kanë aplikuar për Statusin e Naftëtarit. Ju referuam edhe pak më parë që kemi një databazë prej 7 mijë naftëtarësh por ndërkohë aplikime kemi marr rreth 11 mijë, e cila vjen edhe për shkak se ka një paqartësi se çfarë konsiderojmë kategoritë që mund të përfitojnë nga statusi i naftëtarit. Nga 11 mijë punonjës që kanë aplikuar nga statusi i naftëtarit deri tani janë trajtuar 2991 kërkesa për statusin e naftëtarit nga të cilat 1961 janë duke u shpërndarë dhe 130 të tjera janë në proces stampimi. Rreth 450 dosje të cilat janë kontrollua deri tani nuk i kanë dokumentet sipër përcaktimeve të VKM-së 435. Ne si Ministri kemi kërkuar që dosjet e tyre të plotësohen”, – theksoi Balluku.

Balluku vijoi duke theksuar se: “Përfitimet që dalin nga statusi i naftëtarit janë shpërblime financiare pas ndërprerjes së punës, meshkujt me vjetërsi pune mbi 20 vjet dhe femrat mbi 15 vjet, të papunë në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit kanë përparësi në punësim dhe përfitimin financiar jo më të vogël se 80% të pagës minimale në vend. Në rast se dalin të papunë si rezultat i ristruktrimit, përfitojnë shpërblim financiar jo më pak se 80% të shkallës minimale në shkallë vendi  dhe jo më pak se tre vite”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.