Rreth 17 milionë euro në vit përfiton Serbia nga mos anëtarësimi i KOSTT-it në rrjetin energjetik europian

PRISHTINE, 16 mars/ATSH/- Mos anëtarësimi në rrjetin energjetik eUropian(ENTSO) i ka shkaktuar Kosovës humbje rreth 300 milionë euro që nga paslufta, mjete këto të cilat i ka përfituar Serbia. Kjo po e pengon edhe funksionalizimin e linjës 400kV Kosovë- Shqipëri që nga viti 2016.

Serbia për çdo vit përfiton nga 17 milionë euro, për shkak të mos njohjes së Kosovës, në rrjetin energjetik Uropian.

Anëtari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK), Hamdi Malushaj thotë për KosovaPress se përveç humbjeve të mëdha materiale, Kosova nuk po arrin ta shfrytëzoj interkonjeksionin 400 kilovoltësh me Shqipërinë që ka kushtuar 33.5 milionë euro, prej tyre 45 përqind janë kredi të cilën e paguan Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë – KOSTT.

“Anëtarësimi në këtë institucion (ENTSO) lë të dyshohet në aktivitetin tonë, ngaqë Serbia ka lobuar në mos interesimin tonë”, thotë Malushaj.

Zyrtarë të KOSTT-it thonë se mos implementimi i marrëveshjes për kyçje me ENTSO , e bllokuar nga pala serbe po e pengon edhe funksionalizimin e linjës 400kV Kosovë- Shqipëri që nga viti 2016.

Elvane Devexhi zyrtare për media në KOSTT tha për KosovaPress se humbjet nga mos shfrytëzimi i interkonjeksionit me Shqipërinë janë 1 milion euro në vit, por varen nga niveli i kërkesës së tregtarëve për kapacitetin e linjës për tregtim ndërkufitar të energjisë.

Devexhi ka treguar se financimi i projektit i cili është përuruar në vitin 2016, Kosovës i ka kushtuar 33.5 milionë euro, 45.52  përqind kredi, 44.18 përqind grant dhe 10.30 përqind  financimi nga KOSTT.

Po ashtu edhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë po tregon se nga mos shfrytëzimi i interkonjeskionit me Shqipërinë, Kosova po humb miliona euro dhe po ka probleme për kthimin e kredisë.

Ndërsa, zyrtarja për media në KOSTT, Elvane Devexhi thotë se pasojat e mos implementimit të marrëveshjes për kyçje KOSTT/ENTSO , po vazhdon t’i shkaktojë dëme financiare KOSTT-it, pasi operatori serb EMS vazhdon që të ketë përfitime milionëshe nga alokimi i kapaciteteve të linjave interkonektive të Kosovës me shtetet fqinje.//KosovaPres//

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.