Protesta para Kuvendit, gurë dhe tymyese me ngjyrë drejt policisë

TIRANË, 16 mars /ATSH/Mbështetësit e opozitës kanë shkulur pllakat e trotuarit para Kuvendit për të qëlluar kordonin e policisë, ndërsa kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës. Situata para Kuvendit u tensionua kur mbështetësit e opozitës tentuan të hyjnë brenda territorit të Kuvendit, dhe u ndeshën me forcat e rendit.

Protestuesit goditën me gurë ndërsa policia solli edhe makinat shi- hedhëse për të shpërndarë me anën e ujit protestuesit. Dëshmitarë nga vendngjarja thonë se protestuesit kanë hedhur edhe tymyese alumini me ngjyra.

Protesta, pas më shumë se 3 orë para kryeministrisë, u zhvendos përpara Parlamentit.

Forcat e shumta të policisë jane vendosur tashmë kordon para Kuvendit ndërkohë një makinë uji mban larg protestuesit.

Një pjesë e protestuesve janë bashkuar me kryetarin e Partisë Demokratike duke marshuar përmes pedonales drejt bulevardit kryesor të kryeqytetit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.