Koçi: Qeveria legjitime, opozita të pranojë faktet

TIRANË, 16 mars /ATSH/Protesta e sotme e opozitës në kryeqytet ishte më e vogël se ajo e 16 shkurtit dhe një protestë që nuk nxorri popullin në shesh. Deputeti i Partisë Socialiste dhe zv.ministër i Mbrojtjes, Petro Koçi theksoi në një intervistë televize se protesta ishte protestë normale e opozitës.

Ai argumentoi se opozita duhet të pranojë faktet pasi PD dhe LSI janë organizata politike dhe nuk janë organizata që nxjerrin konkluzione mbi zgjedhjet. “Procesi i kaluar zgjedhor nuk ka shënuar asnjë ankesë serioze nga opozita në ditën e zgjedhjeve, nuk ka asnjë raport të OSBE-ODHIR që të flasë për 20% të votave të vjedhura”, theksoi Koçi.

Sipas tij, procesi zgjedhor është vëzhguar në mënyrë korrekte nga ndërkombëtarët. “Kuvendi është legjitim, qeveria po ashtu dhe deklarata e SHBA-së vlerëson faktin që po zhvillohet reforma në Drejtësi që duhet çuar deri në fund. Kjo do të thotë se ata e kuptojnë se një arsye e protestës është reforma në Drejtësi”, theksoi ai.

Koçi tha se të gjitha sondazhet tregojnë që socialistët janë në shumicë.

“Partitë politike përpiqen të kanalizojnë politikisht çdo pakënaqësi, por opozita duke qenë e pafuqishme të fitojë me zgjedhje normale, ngrihet në protesta. Histori shumë e gjatë që nis që nga vitit 1998”, tha Koçi duke theksuar se po punohet me strategjinë e marrjes së pushtetit në tavolinë.

Duke folur për deputetët e rinj të Parlamentit, Koçi tha se listat e PD-së dhe LSI-së nuk i ka caktuar qeveria. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.