FOTO/ Restaurimi i Qafës së Pazarit, Margariti: Asgjë nuk prishet nga kalldrëmi i stilizuar i viteve ’70

TIRANË, 16 mars /ATSH/ –  Qafa e Pazarit, e njohur si kompleksi muzeal i qytetit të Gjirokastrës, me vlera të veçanta historike e kulturore, po i nënshtrohet rehabilitimit të plotë, në ruajtjen e teknikave të hershme infrastrukturore dhe mosdëmtimin e tyre. Para disa ditësh ka përfunduar njëra prej fazave të punimeve në Qafën e Pazarit në Gjirokastër, portës hyrëse për në qendrën historike të qytetit të gurtë.

Sipërfaqja që do të trajtohet është 5,290 m2 dhe ndërhyrja do të prekë të gjitha rrjetet infrastrukturore nëntokësore. Po ashtu për 8 sheshe projekti parashikon mobilim urban me stola druri, panele informuese, çezma publike, vende për biçikleta, etj., si dhe gjelbërim me lule dhe bimë dekorative.

Ministria e Kulturës Elva Margariti shprehet se, ”prej disa ditësh kam ndjekur me vëmendje të gjitha argumentet pro dhe kundër punimeve në Qafën e Pazarit të Gjirokastrës. Pasi i kthyem shkëlqimin e harruar këtij pazari me rehabilitimin e fasadave dhe çative po punojmë për fazën e dytë të projektit “Rehabilitimi i Qafës së Pazarit të Gjirokastrës“. 

Ajo shton se ”3.5 milionë dollarë investim, mbi 5000 m2 restaurim dhe prona të rivlerësuara si asnjëherë më parë i kemi kthyer Pazarit të Gjirokastrës, së bashku me AADF, partnerin tonë strategjik”.

Rezultatet e kësaj pune të jashtëzakonshme janë fort të prekshme ku Margariti theskson se, ”sot kemi një zhvillim në rritje të turizmit, falë investimeve të kësaj qeverie, që e ka në qendër të vëmendjes Gjirokastrën. Në Gjirokastër janë ndërtuar 67 bujtina nga 4 që kishte qyteti para 3 vitesh”.

”Qafa e Pazarit është pjesë e investimeve që po realizohen në kuadër të projektit “Zhvillimi i Integruar Urban e Turistik në Shqipëri” në qendrat urbane të Sarandës, Gjirokastrës, Beratit e Përmetit, i financuar nga Banka Botërore në vlerën 63.8 milionë euro”, tha Margariti.

Ajo gjithashtu shton se ”me partnerin tonë të rëndësishëm FSHZH po kryejmë realizimin e rehabilitimit të infrastrukturës inxhinierike, rrjetin e furnizimit me ujë, energji elektrike, rrjetin e MNZ, telefonisë e rrjetit Lan si dhe restaurimin e kalldrëmeve e trotuareve, si fazë e dytë e projektit të rehabilitimit”.

Margariti thekson se “Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës janë duke monitoruar çdo fazë në këtë rehabilitim. Procesi i çmontimit të kalldrëmit ka filluar së pari me dokumentimin e hollësishëm të tij sipas rrugëve në cilat po kryhet ndërhyrja dhe gurët përkatës janë magazinuar sipas rrugëve ku është çmontuar”.

Mbi këtë proces, Margariti shprehet se ”asgjë nuk humbet dhe asgjë nuk prishet nga kalldrëmi i stilizuar i viteve ’70. Po magazinohen dhe pas përfundimit të punimeve të infrastrukturës do të rivendosen shtresat e kalldrëmit”.

Ajo shton se lajmi tjetër i mirë është se gjatë punimeve u zbuluan pjesë kalldrëmi që mendohet se i përkasin një kohe më të hershme se vitet ’70.

”Për të gjitha këto informacione është njoftuar Agjencia e Shërbimit Arkeologjik dhe materialet mbi këto gjetje do të shqyrtohen në Këshillin Kombëtar të Arkeologjisë.Qafa e Pazarit, kjo trashëgimi botërore në mbrojtje të UNESCO-s është vetëm një pjesë e investimit dhe vëmendjes së qeverisë për këtë vlerë unike të trashëgimisë kulturore”, përfundon ministrja e Kulturës Elva Margariti. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.