TIRANË, 15 mars /ATSH – I. Vata/ – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka zhvilluar sot një takim me strukturat e LSI-së në Kamëz ku u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 16 marsit në Tiranë, pasi sipas saj, kjo do të jetë protestë vendimtare.
Në fjalën e saj, Kryemadhi tha se do të organizojmë më 16 mars një protestë madhështore dhe do marrin pjesë qytetarë dhe socialistë, sepse ata janë çdo ditë e më shumë të varfër.
“Qeveria e Rilindjes ka dështuar, por jo socialistët, prandaj më 16 mars do jenë qindra socialistë që nuk e përkrahin më këtë qeveri, sepse shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të varfër. Kudo që të shkosh shikon mijëra të rinj e të reja që aplikojnë për t’u larguar nga vendi. Shikon me qindra familje shqiptare që i venë drynin shtëpive të tyre për të ikur nga Shqipëria”, tha ajo.
Më tej, Kryemadhi shtoi se “shqiptarët shikojnë mungesën e shpresës, por ne do të luftojmë deri në fund”.
“Ne do të luftojmë deri në momentin e fundi, jo për veten tonë, por për fëmijët tanë. Do luftojmë, sepse ky është një mision që duhet të përballemi, që të mos lejojmë askënd të shkatërrojë të ardhmen e fëmijëve tanë. Nesër është vendimtare për të treguar se ne jemi shumë”, tha ajo.
/e.caushi/