Agroturizmi, përgjigjja e duhur kundër varfërisë

TIRANË, 15 mars/ATSH-Maela Marini/ “Agroturizmi është përgjigjja e duhur kundër varfërisë, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama nga Berati, ndërsa garantoi të gjithë ata që duan të investojnë se, – me politikat mbështetëse të qeverisë në këtë sektor fitimi është i sigurt”.

Në vijim të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorë të Beratit.

Këtu në Berat ne kemi arritur të kthejmë sytë nga e ardhmja, tha Kryeministri, duke folur për rritjen çdo ditë të numrit të turistëve, por edhe të volumit të sipërmarrjeve të vogla.

“Do të rritet edhe më shumë numri i bujtinave për të shfrytëzuar trashëgiminë kulturore në funksion të ekonomisë familjare. Potenciali për të zhvilluar bujqësinë dhe agroturizmin dhe për të transformuar shtëpitë në fshat, apo për të ndërtuar bujtina është shumë i madh”, – tha Rama.

Politikat e qeverisë në sektorin e agroturizmit, sipas Ramës, “janë shtysë për të gjithë ata që duan të investojnë tek shtëpitë e tyre apo të të parëve të tyre në fshat dhe t’i kthejnë ato në instrumenta fitimi”.

Duke folur për zgjedhjet vendore në qershor, Rama tha se ne nuk e kemi betejën me ata që tani kanë kthyer kurrizin dhe janë nisur në një drejtim të paditur, por me hallet dhe problemet e njerëzve, me papunësinë, varfërinë e korrupsionin dhe me ata që ende vazhdojnë në zyrat e shtetit, edhe pse nuk janë të denjë për t’u shërbyer qytetarëve.

“Ajo që kemi bërë në 4 vitet e fundit flet vetë në Berat. Qyteti ka ndryshuar shumë, por do të ndryshojë edhe më shumë, sepse ka ende shumë për të bërë. Në zonën rurale të Beratit, ku përmes punës dhe mbështetjes së qeverisë njerëzit kanë dyfishuar eksportet, por ende përballen me probleme që kërkojnë zgjidhje”, – tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.