Shi në Ditën e Verës, qytetarët me çadra në rrugët e kryeqytetit

TIRANË, 14 mars/ATSH/- Ashtu siç ishte parashikuar nga sinoptikanët, Tirana është pushtuar nga reshjet e shiut dhe temperatura më të ftohta se ditët normale të muajit mars.

Edhe pse Dita e Verës, qytetarët janë detyruar që të dalin sot me çadra në duar, ndërkohë që edhe temperaturat kanë pësuar ulje krahasuar me një ditë më parë. Të ndikuar nga masa ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme, moti është shoqëruar me vranësira mesatare dhe të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme.

Për shkak të motit të paqëndrueshëm dhe me reshje, Bashkia e Tiranës dhe ajo e Përmetit zhvendosën festimet e Ditës së Verës për të dielën, në 17 Mars. E diela pritet të jetë një nga ditët më të ngrohta të muajit, çka do i beje edhe me te bukura festimet e pergatitura.

Bashkia e Tiranës ka planifikuar më shumë se 50 aktivitete, lojëra, dhe muzikë do t’i shoqërojë gqytetarët gjatë gjithë ditës, në zona të ndryshme të kryeqytetit. Që kjo ditë të jetë një festë e madhe për të gjithë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që 17 marsin ta shpallë ditë pa makina, duke e kthyer bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në pedonale për shëtitje.

Prej orës 9:00 të mëngjesit e deri në mesnatë, të gjithë qytetarët, e sidomos fëmijët, do të mund të kalojnë një ditë të paharruar, duke shijuar aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës, por edhe duke u bërë pjesë e tyre. Aktivitetet do të jenë të shtrira në zona të ndryshme të kryeqytetit, për t’iu mundësuar qytetarëve sa më shumë lojëra, argëtim, dhe hapësira festive. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.