Task Forca Antikorrupsion, masa disiplinore në hipotekën e Beratit

TIRANË, 13 mars/ATSH/- Task Forca Antikorrupsion gjatë kësaj jave ka kryer kontrolle në zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Berat duke marrë shkas nga ankesat dhe denoncimet të adresuara në platformën shqipëriaqëduam.al. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj prezantoi rezultatet e javës nga Task Forca Antikorrupsion.

“Në përfundim të kontrollit u konstatuan shkelje të afateve për trajtimin e praktikave dhe përpunimit të kërkesave të qytetarëve të cilat kanë çuar në mohimin e së drejtës për të marrë shërbime në kohë dhe me cilësi. Bazuar në shkeljet e sipërpërmendura u rekomanduan disa masa disiplinore për punonjësit e kësaj zyre vendore: vërejtje me shkrim për tre përgjegjës sektori, 2 përgjegjës zone, përgjegjësin e sektorit të arkivës dhe administrimit të informacionit, si dhe një specialiste të kësaj zyre”, tha Gjonaj.

Gjithashtu, bëri të ditur ministrja, u rekomanduan masa administrative me qëllim përmirësimin e veprimtarisë së zyrës vendore Berat për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve.

Task Forca Antikorrupsion ka zhvilluar inspektime më herët në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. “Pas inspektimit është depozituar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës kallëzim penal për  e dyshuara të “shpërdorimit të detyrës” si dhe të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, të kryera në bashkëpunim, për punonjësit e zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës. Rezulton se, me veprime apo mosveprime, janë thyer rregullat e parashikuara nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, si dhe  nga veprime të cilat kanë çuar në asgjësimin e akteve e kartelave të pasurive të paluajtshme”, tha Gjonaj.

“Nisur nga një tjetër ankesë e ardhur pranë portalit shqipëriaqëduam.al lidhur me veprimtarinë e zyrës përmbarimore shtetërore Fier, është shkarkuar nga detyra sot kryetari i kësaj zyre. Nga inspektimi i kryer nga Task Forca Antikorrupsion rezulton se ka pasur shkelje të disiplinës në punë në mënyrë të përsëritur në veprimtarinë e tij si përmbarues. Gjithashtu, janë gjetur shkelje ligjore dhe procedurale, për mosrespektim të afateve dhe procedurave gjatë ekzekutimit të titujve ekzekutivë”, thekson Gjonaj.

“Shërbimi i kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Drejtësisë, ka evidentuar shkelje ligjore për 6 punonjës policie pranë IEVP Lezhë, pasi kanë kryer veprime në kundërshtim me legjislacionin në fuqi lidhur me elementët e sigurisë në institucionet penitenciare. Materialet gjithashtu janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “mos marrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”. Për të gjashtë punonjësit e policisë së Burgjeve, ashtu si për shefin e policisë janë marrë masa disiplinore lidhur me përgjegjësinë e tyre administrative”, theksoi Gjonaj.

“Strukturat kundër korrupsionit, në Policinë e Shtetit gjatë javës që lamë pas kanë evidentuar 4 vepra penale në të cilat janë proceduar penalisht 5 autorë për krime në fushën e korrupsionit, dhe shpërdorimit të detyrës. Për të gjitha rastet e evidentuara, nga strukturat për hetimin e korrupsionit dhe drejtoria qendrore e hetimit, janë kryer veprimet hetimore dhe janë referuar materialet në organin e akuzës”, tha Gjonaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.