TIRANË, 13 mars/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e festës së 14 Marsit, Ditës së Verës, me qëllim sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, parandalimin e ngjarjeve të mundshme kriminale gjatë zhvillimit të aktiviteteve, lëvizjen normale të mjeteve.
Policia Rrugore krahas masave të marra për mbarëvajtjen e trafikut, do të marrë dhe një sërë masash për shtimin e kontrollit ndaj përdoruesve të rrugës, që drejtojnë automjetin në gjendje të dehur, që tejkalojnë normat e shpejtësisë, që kryejnë parakalime të gabuara, etj, për shkak të shtimit të numrit të automjeteve dhe rritjes së fluksit të lëvizjeve në akset kryesore dhe nëpër qendrat e banuara.
Konkretisht, të gjitha shërbimet në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, më datë 13 mars 2019 do të kalojnë në shërbim të përforcuar për zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive.
Për të përballuar me sukses festimin sa më normal të Ditës së Verës, do të angazhohen 282 punonjës policie, si dhe në ndihmë të shërbimeve të Policisë Elbasan, do të vihen në dispozicion dhe forca FNSH nga Tirana.
Në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e aktiviteteve me rastin e Ditës së Verës, nuk do lejohet lëvizja në disa akse rrugore si në segmentin nga stadiumi “Elbasan Arena” deri tek rrethi i Zaranikës; rrethrrotullimi i luleve – rrethrrotullimi i bashkisë – kryqëzimi i romëve; rrethrrotullimi i Postës – 1 Maji – Pallati i Sportit.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në këtë ditë feste, që të evitojnë në maksimum lëvizjen me automjet brenda qytetit të Elbasanit, ç’ka do të sillte një ndihmesë të madhe në zhvillimin sa më normal të aktiviteteve festive. /m.m/j.p/
